Secondary Adv

Kosova mbahet nga importet dhe remitencat: 1.5 mld euro import, 313 mln euro nga diaspora

Importet dhe remitancat mbeten shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës gjatë muajve të parë të vitit 2026.

Ekonomia e Kosovës ka vijuar të karakterizohet nga një varësi e lartë ndaj importeve dhe remitancave, sipas statistikave më të fundit të Bilancit të Pagesave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Të dhënat deri në fund të marsit 2026 tregojnë se deficiti i llogarisë rrjedhëse arriti në 239.57 milionë euro, megjithëse ky nivel është 22.21 për qind më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Sipas BQK-së, përmirësimi i situatës lidhet kryesisht me ngushtimin e deficitit tregtar të mallrave dhe rritjen e suficitit në sektorin e shërbimeve, i cili vazhdon të mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë e vendit.

 

Deficiti tregtar kalon 1.27 miliardë euro

Bilanci tregtar i mallrave mbetet pika më e dobët e ekonomisë kosovare. Deri në fund të marsit 2026, deficiti tregtar arriti në 1 miliard e 275.76 milionë euro. Eksportet e mallrave u rritën me 14.03 për qind dhe arritën në 233.72 milionë euro, ndërsa importet vijuan të dominojnë ekonominë me një vlerë prej 1 miliard e 509.48 milionë euro, ose 1.27 për qind më shumë se një vit më parë.

 

Kjo do të thotë se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit, Kosova importoi mallra me vlerë mbi 1.5 miliard euro, ndërsa eksportet mbetën disa herë më të ulëta.

 

Remitancat arrijnë mbi 313 milionë euro

Diaspora vazhdon të luajë një rol vendimtar në ekonominë e Kosovës. Sipas BQK-së, remitancat deri në fund të marsit 2026 arritën në 313.46 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 7.62 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

Vlerësimet paraprake tregojnë se vetëm gjatë muajit prill remitancat kanë arritur në rreth 117.6 milionë euro, duke e çuar totalin për katër muajt e parë të vitit në 431.07 milionë euro.

 

Pjesa më e madhe e remitancave vijon të hyjë përmes institucioneve financiare jobankare, të cilat përbënin 59.67 për qind të totalit në prill. Bankat komerciale përfaqësuan 17.74 për qind të transfertave, ndërsa 22.59 për qind erdhën përmes kanaleve të tjera.

 

Shërbimet vazhdojnë të japin kontribut pozitiv

Llogaria e shërbimeve mbeti një nga elementët më pozitivë të bilancit të pagesave. Deri në fund të marsit 2026 ajo regjistroi një bilanc pozitiv prej 478.21 milionë eurosh, ose 17.64 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Edhe të ardhurat parësore mbetën në territor pozitiv, me një bilanc prej 98.37 milionë eurosh, megjithëse në rënie me 12.30 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

 

Të ardhurat dytësore, ku përfshihen kryesisht remitancat, vijojnë të jenë mbështetësi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Në fund të marsit ato arritën në 459.61 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 0.16 për qind.

 

Rriten investimet dhe rezervat valutore

Investimet e huaja direkte në Kosovë arritën në 215.55 milionë euro deri në fund të marsit 2026, duke shënuar një rritje prej 7.81 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet direkte të kosovarëve jashtë vendit u regjistruan në 71.23 milionë euro.

 

BQK raportoi gjithashtu rritje të aseteve rezervë me 130.37 milionë euro. Sipas bankës qendrore, kjo rritje është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i depozitave me 153.88 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë u reduktuan me 23.51 milionë euro për shkak të maturimit të tyre.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat